Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 22.07.2020 ka regjistruar procedimin penal nr.198, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, mbi bazën e akteve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Nga hetimet e kryera nga policia gjyqësore e Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, duke përdorur me metodat speciale të hetimit, janë dokumentuar raste të veprimeve korruptive dhe të veprimeve në kundërshtim me ligjin, të shtetasve Dritan Nikolli, me detyrë Kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Kamëz dhe të shtetasit Ermal Baci, me detyrë Inspektor pranë këtij institucioni.
Shtetasit Dritan Nikolli dhe Ermal Baci, për shkak të funksionit të tyre, kanë lejuar ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Kamëz, kundrejt përfitimit të parregullt, si dhe në disa raste të tjera të evidentuara, nuk kanë përmbushur detyrën e tyre për të konstatuar dhe proceduar për ndërtimet pa leje, megjithëse kanë patur dijeni për kryerjen e ndërtimeve pa leje për disa shtetas, veprime në kundërshtim me ligjin Nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, VKM nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, si dhe Ligjin Nr.9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.06, datë 22.01.2021 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve Dritan Nikolli dhe Ermal Baci, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuara nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.
Me datën 22.01.2021 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit personal ndaj shtetasve Dritan Nikolli dhe Ermal Baci.
Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë.