Kabineti i drejtuesit
Dr. Alban Nako ushtron detyrën e Drejtorit të Kabinetit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që prej qershorit 2026.
Në këtë funksion, ai mbështet koordinimin e punës së Kabinetit, ndjekjen e proceseve të raportimit, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe komunikimin me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë. Roli i tij përfshin mbështetje ligjore, analitike dhe organizative për veprimtarinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe për proceset që lidhen me forcimin e kapaciteteve institucionale.
Nga tetori 2023 deri në maj 2026, ka shërbyer si Këshilltar Ligjor pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në Departamentin e Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut. Në këtë detyrë, ka mbështetur programe që lidhen me sistemin e prokurorisë, integritetin institucional, krimin kibernetik dhe provat elektronike, komunikimin strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Nga nëntori 2021 deri në tetor 2023, ka qenë Këshilltar Ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ka mbështetur punën e komisioneve për vlerësimin profesional, ecurinë në karrierë, procedurat disiplinore, rregullimin e brendshëm institucional dhe proceset vendimmarrëse të Këshillit. Ky angazhim i ka dhënë një përvojë të drejtpërdrejtë në qeverisjen e sistemit të prokurorisë dhe në funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
Nga korriku 2020 deri në nëntor 2021, në kuadër të projektit të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka punuar si Nëpunës për Uljen e Çështjeve të Prapambetura pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Në këtë rol, ka kontribuar në analizën e dosjeve gjyqësore, përmirësimin e eficiencës së përpunimit të çështjeve dhe mbështetjen e përpjekjeve institucionale për reduktimin e ngarkesës së prapambetur në gjykatë.
Më herët, ka mbajtur pozicione në administratën publike dhe në sektorin e shoqërisë civile, përfshirë angazhimin si Kërkues Shkencor pranë Civil Alliance Toward Integrity Foundation, si dhe specialist në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve ligjore pranë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. Përvoja e tij e hershme profesionale përfshin gjithashtu angazhime si specialist ligjor pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Krahas detyrave institucionale, ai është Gjyqtar Arbitrazhi pranë Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ka qenë më parë edhe asistent lektor në lëndën “E Drejta Penale – Pjesa e Përgjithshme” pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
Ka përfunduar studimet doktorale në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit Epoka. Ai ka përfunduar studimet Master Shkencor në të Drejtë Penale pranë Universitetit të Tiranës. Gjithashtu, ai është i licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Karriera e tij është zhvilluar në mjedise ku ligji, përgjegjësia publike dhe funksionimi i institucioneve takohen çdo ditë në praktikë. Kjo përvojë ka formësuar një qasje profesionale të mbështetur në diskrecion, analizë të kujdesshme dhe bindjen se institucionet forcohen përmes standardeve të qëndrueshme, punës në ekip dhe shërbimit me përgjegjësi ndaj interesit publik.
Kontakt: [email protected]
Ada Eqimi (Heqimi) është Koordinatore për Marrëdhënien me Median në Kabinetin e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) prej tetorit të vitit 2024. Në këtë rol, është personi i autorizuar për komunikimin institucional të SPAK-ut me median kombëtare, ndërkombëtare dhe qytetarët duke mbuluar informimin publik, njoftimet zyrtare për shtyp, koordinimin e intervistave, monitorimin mediatik të veprimtarisë së institucionit, si dhe zbatimin e Strategjisë së Komunikimit të SPAK-ut.
Me mbi 25 vjet eksperiencë të konsoliduar në gazetari, komunikim institucional dhe menaxhim mediatik, ka ndërtuar një portofol të gjerë profesional. Nga viti 2022 deri në vitin 2024 ka shërbyer si oficere për shtypin, çështjet politike dhe publike në Ambasadën Britanike në Tiranë, ku ka mbështetur strategjinë e komunikimit të Ambasadës, ka kontribuar në analizat politike, ka menaxhuar platformat digjitale dhe ka koordinuar mbulimin mediatik të intervistave, vizitave të profilit të lartë etj.
Për shtatë vjet nga viti 2016 deri në vitin 2022, ajo ka shërbyer si Koordinatore për Median në projektin e USAID-it “Drejtësi për të gjithë” dhe projektin e mbështetur nga Ambasada britanike në Tiranë, “Forcimi i Standardeve të Integritetit të Medias në Shqipëri”. Në këtë rol ajo mundësonte organizimin e programeve trajnuese për gazetarinë investigative, gazetarinë digjitale, atë të verifikimit të fakteve (fact-checking) dhe luftën kundër dizinformimit.
Karrierën e ka nisur dhe ndërtuar për mbi një dekadë si gazetare dhe redaktore në median audiovizive dhe atë të shkruar shqiptare duke filluar në Gazeta Shqiptare, BalkanWeb, News 24, Top Channel, Klan TV, duke mbuluar disa fusha dhe duke u përqëndruar tek lajmet ndërkombëtare dhe korrespondentët jashtë vendit.
Në vitin 2021 ka kryer trajnimin ToT për Median Literacy (IREX, Shqipëri) dhe ka qenë trajnuese për komunikim publik për kandidatë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.
Ada Eqimi është diplomuar në Gazetari pranë Universitetit të Tiranës dhe aktualisht ndjek studimet e doktoratës (PhD) në Komunikim Masiv dhe Studimet e Medias pranë të njëjtit universitet. Zotëron gjuhën angleze, spanjolle dhe italiane në nivel të avancuar pune.
Z. Avdulaj, përpara angazhimit aktual në funksionin e këshilltarit ligjor në Kabinetin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, ka shërbyer në funksionin e këshilltarit ligjor, në Njësinë e Shërbimit Ligjor të Institucionit të Komisionerëve Publikë (IKP), mandati i të cilëve përfundoi më datë 31.12.2024, dhe sipas përcktimit kushtetues kompetencat e tyre u ushtruan nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Komisionerët Publikë, në mandatin e tyre të parashikuar nga Kushtetuta, vepruan si një nga institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, përgjegjësi për të cilën Komisioni Europian në progres raportet në vitet 2018-2024, ka vlerësuar rezultatet e arritura si konkrete të besueshme që në mënyrë thelbësore kanë forcuar sektorin dhe konsoliduar pavarësinë, paanshmërinë dhe llogaridhënien e organeve të pushtetit gjyqësor.
Për periudhën shkurt 2018 – dhjetor 2024, në ushtrim të funksionit si këshilltar ligjor në IKP z. Avdulaj ka kryer detyrat e studimit të dosjeve dhe përgatitjes së relacionit për çështjen e rivlerësimit, ku trajtoheshin tri kriteret e procesit të rivlerësimit (i) vlerësimi i aftësive profesionale të subjektve të rivlerësimit (gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor, ndihmës ligjor, inspektor), (ii) kontrolli i figurës, dhe (iii) në bashkëpunim me këshilltarin ekonomik të vlerësimit të pasurisë. Në përmbushje të detyrave të tjera të caktura nga Komisioneri Publik përgjegjës, janë studiuar, analizuar dhe më pas paraqitur projekt-akte me qëllim përfaqësimin e Komisionerit Publik në gjykimet për ankimet e tij zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.
Për periudhën korrik 2001 – shkurt 2018, z. Avdulaj ka mbajtur pozicione të ndryshme në strukturat juridike në disa ministri (- e Rendit Publik, e Brendshme, Transportit, Zhvillimit Urban, Energjisë dhe Infrastrukturës), si dhe inspektor në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Eksperienca profesionale 17-vjeçare në administratën publike e ka pajisur z.Avdulaj me aftësi analitike, organizative, si dhe me ekspertizë të legjislacionit respektiv brenda fushës së përgjegjësisë të ministrive ku ka punuar, ku mund të veçojmë procese të tilla si ato të draftimit të projekt-akteve të një game të gjerë (-urdhëra, -udhëzime, -rregullore, – marrëveshje ndërkombëtare,- vendime të Këshillit të Ministrave, ligje), të përafrimit të legjislacionit me Acqui të BE-së, të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë, të planifikimit dhe zhvillimit urban.
Gjatë periudhës së punës në administratën publike për një periudhë prej 2 vjetësh është angazhuar si trajner në Shkollën e Administratës Publike për temën Kodi i Procedurave Administrative.
Z. Avdulaj është diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 2000, ai përdor në mënyrë të rrjedhshme gjuhën angleze dhe ka kompetenca gjuhësore në atë italiane dhe franceze.
Z. Arjol Ago ushtron detyrën e Këshilltarit Ligjor në Kabinetin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që prej janarit të vitit 2025.
Z. Ago është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2006, me titullin “Jurist”. Në vitin 2013 ka përfunduar studimet e ciklit të dytë “Master Shkencor” në programin “Legjislacioni dhe Institucionet Europiane” pranë Institutit të Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës. Po në të njëjtin vit është licencuar si Ndërmjetës nga Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë periudhës 2018–2024 ka ushtruar detyrën e Këshilltarit Ligjor pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, institucion kushtetues i ngarkuar me mbrojtjen e interesit publik në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Në këtë funksion, ai ka qenë përgjegjës për studimin dhe analizimin e çështjeve të rivlerësimit, përgatitjen e relacioneve dhe trajtimin e aspekteve juridike që lidhen me vlerësimin profesional dhe etik, kontrollin e figurës dhe verifikimin e pasurisë së subjekteve të rivlerësimit.
Gjithashtu, ka kontribuar në hartimin e akteve dhe dokumentacionit ligjor për përfaqësimin e Komisionerëve Publikë në seancat gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, duke ofruar ekspertizë juridike në analizimin e çështjeve, përgatitjen e qëndrimeve ligjore dhe mbështetjen e veprimtarisë institucionale në kuadër të procesit të rivlerësimit. Kjo përvojë profesionale është zhvilluar në kuadër të një prej proceseve më të rëndësishme të reformës në drejtësi, që ka synuar forcimin e integritetit, pavarësisë dhe besueshmërisë së sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.
Më herët, gjatë viteve 2007–2018, ka qenë pjesë e Autoritetit të Konkurrencës, ku ka ushtruar detyrën e Inspektorit pranë Drejtorisë së Mbikqyrjes së Tregut dhe Drejtorisë Juridike dhe Çështjeve Gjyqësore. Në këtë kuadër është angazhuar në procedurat e hetimit administrativ, monitorimin e tregjeve, evidentimin e praktikave antikonkurruese, si dhe në trajtimin e çështjeve juridike dhe gjyqësore në fushën e konkurrencës.
Gjatë karrierës së tij profesionale ka marrë pjesë në trajnime, konferenca dhe seminare kombëtare dhe ndërkombëtare në fusha që lidhen me sistemin e drejtësisë, procedurat e hetimit administrativ, të drejtën e konkurrencës, hartimin e legjislacionit dhe standardet europiane të shtetit të së drejtës. Ai zotëron gjuhën angleze dhe italiane.
ZNJ. BRUNILDA BEKTESHI (VASHA), është Këshilltare Ligjore në Kabinetin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, detyrë të cilën e ushtron prej korrikut 2025.
Në këtë funksion, ajo asiston Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Kabinetin në çështje me karakter ligjor, institucional dhe ndërinstitucional, duke kontribuar në analizën dhe interpretimin e kuadrit ligjor, përgatitjen e opinioneve dhe dokumenteve ligjore, si dhe në mbështetjen e proceseve institucionale me natyrë juridike.
Nga qershori 2017 deri në dhjetor 2024, ajo ka ushtruar funksionin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucion i pavarur kushtetues, me funksion vendimmarrës në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë funksion, ka shqyrtuar dhe vlerësuar çështje me natyrë kushtetuese, administrative, civile dhe penale, duke kontribuar në zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Më herët, ka ndërtuar një eksperiencë profesionale prej 15 vitesh në fushën juridike të sektorit energjetik, përmes dhënies së kontributit të saj, si juriste dhe në pozicione drejtuese pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a.
Në periudhën 2016–2017, ka mbajtur funksionin e drejtueses së sektorit të çështjeve ligjore pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku ka drejtuar veprimtarinë juridike të sektorit, duke u angazhuar në përgatitjen e opinioneve ligjore, përfaqësimin në procese gjyqësore dhe administrative, si dhe në trajtimin e marrëdhënieve me institucione rregullatore dhe palë të treta.
Në periudhën 2009–2016, ka ushtruar funksione si juriste dhe në pozicione drejtuese pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke ofruar ekspertizë juridike në fushën tregtare, civile, administrative, të drejtës së informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe duke marrë pjesë në ndjekjen e çështjeve gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe në procese të rëndësishme ristrukturimi korporativ me natyrë tregtare.
Në periudhën 2001–2008, ka ushtruar funksionin e juristes pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, duke kontribuar në përgatitjen e opinioneve juridike, trajtimin e çështjeve civile, penale dhe administrative, si dhe në hartimin e dokumentacionit juridik për strukturat e brendshme.
Karrierën profesionale e ka nisur në vitin 2000, si asistente ligjore pranë një studio avokatie, ku është angazhuar në përgatitjen dhe ndjekjen e çështjeve gjyqësore me natyrë civile dhe penale.
Arsimi
Znj.Brunilda Bekteshi (Vasha), është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në periudhën 1996–2000.
Trajnime e Kualifikime
Znj. Brunilda Bekteshi (Vasha), ka qenë e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në programe trajnimi dhe zhvillimi profesional në fusha të ndryshme të së drejtës. Është certifikuar në trajnimin “Kërkimi dhe hartimi i legjislacionit dhe arsyetimi i akteve gjyqësore”, të zhvilluar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Në vitin 2003 është licencuar si Avokate, ndërsa në vitin 2012 është licencuar si Përmbaruese Gjyqësore Private.
Gjuhët e Huaja
Zotëron njohuri të gjuhës angleze dhe italiane.
Znj. Eriona Xhaferi, ushtron detyrën e Këshilltares Ekonomike pranë Kabinetit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që prej muajit janar 2025.
Znj. Xhaferi ka një përvojë profesionale mbi njëzetvjeçare në fushat e financës, auditimit të brendshëm, analizës ekonomike, menaxhimit të riskut, kontrollit financiar dhe menaxhimit të informacionit të klasifikuar, si në sektorin bankar ashtu edhe në institucionet publike të pavarura kushtetuese.
Nga muaji mars 2018 deri në dhjetor 2024, znj. Xhaferi ka ushtruar detyrën e Këshilltares për Çështjet Ekonomike në Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, organ kushtetues i ngarkuar me përfaqësimin e interesit publik në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë funksion, znj.Xhaferi ka qenë përgjegjëse për analizën financiare të burimeve të ligjshme të krijimit të pasurisë së subjekteve të rivlerësimit, gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë, verifikimin dhe vlerësimin e provave ekonomiko-financiare në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, asistimin e Komisionerëve Publikë në përgatitjen e ankimeve dhe akteve, ndjekjen e seancave gjyqësore pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese dhe bashkëpunimin me ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për çështjet në shqyrtim. Znj. Xhaferi mbajti këtë detyrë deri në përfundimin e mandatit të këtij institucioni kushtetues, më datë 31 dhjetor 2024.
Përpara angazhimit në sektorin publik, znj. Xhaferi ka zhvilluar një karrierë të konsoliduar në sistemin bankar shqiptar, ku ka ushtruar funksione të ndryshme profesionale dhe drejtuese. Nga viti 2010 deri në vitin 2018, ajo ka mbajtur pozicionin e Zëvendësdrejtorit të Departamentit të Auditit të Brendshëm, duke kontribuar në planifikimin dhe realizimin e proceseve të auditimit, vlerësimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, monitorimin e riskut dhe sigurimin e përputhshmërisë me standardet rregullatore dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, pranë një prej bankave lider në sistemin bankar shqiptar.
Më herët, në periudhën 2007–2010, ka ushtruar detyrën e specialistes në Departamentin e Auditit të Brendshëm, pranë të njëjtës Bankë.
Prej përfundimit të studimeve universitare, viti 2004 e deri në vitin 2007, ka mbajtur pozicionin specialiste finance pranë Departamentit të Financës, pranë një prej bankave kryesore të sistemit bankar shqiptar.
Znj. Xhaferi është diplomuar në vitin 2004 në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në degën Financë, me diplomë DND. Në vijim të formimit të saj akademik, në vitin 2008 ka përfunduar studimet pasuniversitare, duke u diplomuar me titullin “Master Profesional” në Studime Ekonomike Europiane, pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë në bashkëpunim me Universitetin e Bambergut, Gjermani.
Formimi profesional i saj është pasuruar në mënyrë të vazhdueshme përmes pjesëmarrjes në programe të specializuara trajnimi, ndër të tjera, në fushat e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, auditimit të brendshëm, menaxhimit të riskut, parandalimit të mashtrimit financiar dhe administrimit të informacionit të klasifikuar.
Znj. Xhaferi zotëron njohuri të avancuara të gjuhës angleze dhe italiane, si dhe njohuri të mira të gjuhës frënge. Ajo ka kompetenca të avancuara në përdorimin e aplikacioneve profesionale të teknologjisë së informacionit dhe programeve financiare.
Znj. Fatime Sulaj ushtron detyrën e Këshilltares Ekonomike në Kabinetin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, funksion të cilin e mban që nga janari i vitit 2025. Në këtë cilësi, ajo kontribuon në ofrimin e ekspertizës ekonomike dhe financiare në mbështetje të veprimtarisë institucionale të Drejtuesit të SPAK.
Znj. Sulaj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 2006, në degën Financë–Kontabilitet. Më pas, ajo ka vijuar studimet e ciklit të dytë duke përfunduar programin “Master në Administrim Biznesi (MBA)” pranë të njëjtit institucion. Prej vitit 2012, ajo mban titullin profesional “Kontabiliste e Miratuar”, të akorduar nga Ministria e Financave.
Gjatë periudhës 2019–2024, ajo ka ushtruar detyrën e Këshilltares Ekonomike pranë Njësisë së Shërbimit Ligjor të Institucionit të Komisionerëve Publikë, një institucion kushtetues i ngarkuar me mbrojtjen e interesit publik në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Në kuadër të kësaj detyre, ajo ka kontribuar në procesin e analizës dhe vlerësimit ekonomiko-financiar të çështjeve të trajtuara nga Institucioni i Komisionerëve Publikë, në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 84/2016. Përgjegjësitë e saj kanë përfshirë shqyrtimin e dosjeve nga pikëpamja financiare/ekonomike, si dhe hartimin e relacioneve përkatëse me fokus vlerësimin e pasurisë së subjekteve të rivlerësimit.
Gjithashtu, ajo ka asistuar Komisionerët Publikë në ushtrimin e kompetencave të tyre ligjore, përmes analizimit të akteve dhe dokumentacionit përkatës, hartimit të materialeve mbështetëse për paraqitjen e ankimeve, si dhe përgatitjes së dokumentacionit dhe akteve procedurale gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Para angazhimit në institucionet e drejtësisë, ajo ka një përvojë 12-vjeçare në sistemin bankar shqiptar, ku ka ushtruar funksione profesionale dhe drejtuese në fushën e operacioneve bankare, pagesave ndërkombëtare, raportimit financiar etj. Në kuadër të kësaj eksperience, ajo ka drejtuar për disa vite Departamentin e Pagesave Ndërkombëtare, duke kontribuar në administrimin dhe mbikëqyrjen e proceseve financiare dhe operacionale të bankës, si dhe në bashkëpunimin me bankat korrespondente ndërkombëtare.
Znj. Sulaj ka një përvojë të gjerë profesionale në fushën e financës dhe analizës ekonomike, të konsoliduar përmes përvojës praktike dhe pjesëmarrjes në programe trajnimi dhe kualifikimi në fushën e financës, kontabilitetit, si dhe në standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit.
Ajo zotëron njohuri të gjuhës angleze dhe italiane, si dhe ka aftësi në përdorimin e teknologjive të informacionit dhe aplikacioneve profesionale në fushën e financës dhe kontabilitetit, të cilat i përdor në mënyrë efektive në mbështetje të veprimtarisë së saj profesionale.
Znj. Juelda Lamçe është juriste, akademike dhe eksperte ligjore me përvojë të konsoliduar në fushën e drejtësisë. Ajo ka përfunduar studimet e larta në Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Maceratës, Itali, si dhe studimet Master në “Bashkëpunim dhe Zhvillim në Zonën Euro-Mesdhetare” pranë Fakultetit të Shkencave Politike të këtij universiteti. Ka fituar gradën shkencore “Doktor” pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Maceratës, me rezultate të shkëlqyera.
Me një eksperiencë të gjerë akademike dhe kërkimore, si pedagoge dhe autore e punimeve shkencore në fushën juridike, prej vitit 2015 mban titullin akademik “Profesor i Asociuar”. Gjatë karrierës së saj akademike ka mbajtur funksione drejtuese, përfshirë pozicionin e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtarë në Universitetin Europian të Tiranës (2021–2023), si dhe të Kryeredaktores së Revistës Shkencore “Jus & Justicia”.
Znj. Lamçe ka gjithashtu një profil të konsoliduar profesional si eksperte ligjore. Ajo është licencuar si avokate nga Dhoma Kombëtare e Avokatësisë së Shqipërisë që prej vitit 2013. Prej vitesh ka bashkëpunuar me institucione publike, organizata vendase dhe partnerë ndërkombëtarë në hartimin dhe zbatimin e projekteve që lidhen, ndër të tjera, me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, reformën në drejtësi, integrimin europian, forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit etj.
Aktualisht, Znj. Lamçe ushtron funksionin e Këshilltares Ligjore në Kabinetin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ofron ekspertizë juridike dhe mbështetje strategjike institucionale. Ajo kontribuon në analizimin dhe interpretimin e kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar, përgatitjen e opinioneve dhe analizave ligjore, shqyrtimin e akteve institucionale, si dhe hartimin e materialeve për çështje me rëndësi të veçantë për institucionin.
Në këtë rol, ajo mbështet proceset vendimmarëse dhe administrative të Prokurorisë së Posaçme, ndjek zhvillimet legjislative dhe jurisprudencën kombëtare e ndërkombëtare, kryen analiza krahasimore dhe kontribuon në përafimin e praktikave institucionale me standardet europiane dhe ndërkombëtare. Gjithashtu angazhohet në përgatitjen e raporteve institucionale për autoritet kombëtare dhe mekanizmat ndërkombëtarë të monitorimit, përfshirë Bashkimin Europian, MONEYVAL dhe GRECO, si dhe në zhvillimin e bashkëpunimit juridik me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Z. Klajdi Demko ushtron funksionin e Këshilltarit Ekonomik të Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku mbështet veprimtarinë institucionale në çështje me karakter ekonomik, financiar dhe strategjik, si dhe ndjek portofolin e marrëdhënieve ndërkombëtare, asistencës dhe donatorëve.
Në këtë kuadër, angazhimi i tij fokusohet në zhvillimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, organizatat e specializuara dhe përfaqësitë diplomatike, si dhe në identifikimin dhe koordinimin e iniciativave të asistencës teknike që mbështesin prioritetet strategjike të institucionit. Kontributi i tij lidhet veçanërisht me forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e iniciativave që mbështesin hetimet financiare dhe pasurore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Formimin e lartë akademik e ka kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Nova Southeastern University, ku ka përfunduar studimet universitare me diplomë të dyfishtë në Financë dhe Administrim Biznesi, si dhe studimet Master në Administrim Biznesi (MBA), me specializim në Financë. Aktualisht është kandidat për gradën Doktor në Administrim Biznesi, me fokus akademik në menaxhimin financiar publik dhe efektivitetin e politikave publike.
Me mbi një dekadë përvojë profesionale, ka ushtruar funksione drejtuese dhe teknike në administrimin e programeve dhe iniciativave të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe organizata ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij ka ndërtuar ekspertizë në fushën e financave publike, menaxhimit financiar dhe sistemeve të kontrollit të instrumenteve të asistencës së para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA), programeve të Bashkëpunimit Territorial Evropian (INTERREG) dhe proceseve të integrimit evropian. Gjithashtu, ka përfaqësuar institucionet shqiptare në programet e Bashkëpunimit Territorial Evropian dhe nismat makro-rajonale, duke promovuar partneritete dhe iniciativa që mbështesin kohezionin territorial, konvergjencën rajonale dhe objektivat e integrimit evropian.
Krahas angazhimit profesional, prej shumë vitesh ushtron veprimtari akademike si lektor në institucione të arsimit të lartë në fushat e financave publike, sistemeve financiare dhe administrimit të biznesit.
Formimi akademik, përvoja profesionale dhe angazhimi në bashkëpunimin ndërkombëtar i shërbejnë mbështetjes së prioriteteve strategjike të SPAK dhe forcimit të rolit të institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Copyright © SPAK 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.