spak.gov.al

Drejtori i bkh

Z. Joni Keta

Z. Joni Keta u lind më 22 mars 1988 në Tiranë. Ai është diplomuar pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010.

Në dhjetor të vitit 2025, Z. Keta u përzgjodh për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) për një mandat pesëvjeçar, pas ushtrimit të detyrës së Zëvendësdrejtorit të kësaj strukture për periudhën dhjetor 2024 – dhjetor 2025. Në këtë pozicion luajti rol kyç në koordinimin e operacioneve të hetimit.

Karriera e tij profesionale ka nisur në vitin 2010, si Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë deri në dhjetor 2019, duke kontribuar aktivisht në luftën kundër formave më komplekse të kriminalitetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe të huaja. 

Në dhjetor 2019, Z. Keta iu bashkua Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku deri në mars 2022 ushtroi detyrën e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Prej prillit 2022 e deri në dhjetor 2024, ai mbajti pozicionin e Hetuesit në Seksionin kundër Krimit të Organizuar pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gjatë karrierës së tij, Z. Keta ka ndjekur kualifikime të nivelit të lartë pranë agjencive ndërkombëtare partnere, duke përfshirë Byronë Federale të Hetimit (FBI) dhe Drejtorinë Hetimore Antimafia (DIA) në Itali. Ka ndjekur trajnime të specializuara brenda dhe jashtë vendit në fushën e hetimit penal, analizës financiare e kriminale si dhe metodave speciale të hetimit të ofruara nga partnerë të tjerë institucionalë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Copyright © SPAK 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.