Kreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read More
Prokuroria e
Posaçme po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.75 viti 2022 në
kuadër të të cilit janë duke u hetuar persona me rrezikshmëri të lartë
shoqërore, për vepra penale të rënda dhe që kanë sjellë si pasojë vrasjen e
disa personave, vepra penale të cilat janë kryer në formën e bashkëpunimit të
posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.
Në datën
10.12.2023 janë konstatuar të botuara në faqen e internetit të medias
audiovizive Ora News (oranews.tv), artikuj të shkruara nga gazetari
Elton Qyno, që bëjnë fjalë për disa komunikime të kryera nga persona që janë
subjekte të hetimeve paraprake. Në datën 11.12.2023 artikujt janë publikuar
edhe nga media të tjera.
Në artikujt që
janë publikuar nga gazetari Elton Qyno, është konstatuar dukshëm se, teksti dhe përmbajtja e bisedave në këto
publikime përmbante disa pjesë të komunikimeve që bashkëpunëtori i drejtësisë
Nuredin Dumani ka bërë me disa persona të tjerë (të paidentifikuar deri
aktualisht nga hetimet) në platformën e kriptuar SkyECC, që janë objekt i
hetimeve paraprake.
Nga verifikimi i publikimeve të artikujve të sipërcituar, përmes konsultimit me të
dhënat e akteve hetimore të komunikimeve SkyECC që disponon Prokuroria e
Posaçme, rezultonte se bisedat e bëra publike në media, nuk janë dokumentuar
ende në akte procedurale nga ana e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të procedimit
penal nr.75/2022. Gjithashtu, disa nga shkrimet e evidentuara në
artikujt mediatikë, përputheshin me përmbajtjen e komunikimeve që ka kryer
Nuredin Dumani me përdorues të tjerë në platformën SkyECC (të paidentifikuar
deri aktualisht), komunikime të cilat vetëm Prokuroria e Posaçme i
disponon aktualisht, si akte procedurale
të hetimit paraprak.
Kjo situatë e prezantuar në media krijoi
dyshime se mundet të ndodheshim para elementëve të veprave penale: “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Ndalimi
i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”, të parashikuara
përkatësisht nga nenet 295/a paragrafi (3) dhe 313/b pika (1) të Kodit Penal. Mbi
këtë, Prokuroria e Posaçme filloi hetimet dhe regjistroi procedimin penal
nr.245/2023, për kryerjen e dy veprave penale të mësipërme.
Nisur nga fakti
se publikuesi i artikujve të mësipërm ishte Elton Qyno / gazetar, më datë
13.12.2023 ai u ftua për tu paraqitur në SPAK, për t’i marrë një deklarim në
cilësinë e personit në dijeni të fakteve që përbëjnë objekt hetimi, ftesë që
gazetari iu përgjigj pozitivisht dhe u
paraqit. Pasi iu bënë të njohura arsyet e marrjes në pyetje, siç dhe
parashikimi i nenit 159 i KPP (e drejta e mos deklarimit për shkak të
profesionit të gazetarit) iu kërkua të shpjegonte mbi mënyrën se si kishte
siguruar akte hetimore që përbëjnë sekret hetimor, zbulimi i të cilave ndaj të
tretëve përmes publikimit është i ndaluar nga ligji procedural. Po kështu, iu
bë e ditur dhe domosdoshmëria që ka lindur për të identifikuar e gjetur
dokumente ose akte në origjinal apo në çdo formë tjetër që ai i dispononte.
Shtetasi Elton
Qyno është përgjigjur se burimi ka qenë konfidencial dhe nuk mundet ta
deklarojë për shkak të sekretit që lidhet me profesionin. Në këtë rrethanë,
gazetari deklaroi me shkrim se aktet e dokumentet që dispononte ishin sekret që
lidheshin me profesionin e tij (parashikim i nenit 211 pika 1 K.Pr.P) dhe nuk
mund t’i jepte. Duke e konsideruar këtë si të pabazuar dhe me synimin për të
gjetur dokumente, prova materiale, gjurmë ose sende që i përkisnin veprës
penale, ai u ftua nga hetuesit që t’i këqyrej telefoni/telefonat që kishte në
përdorim, gjë që gazetari iu përgjigj negativisht.
Sjellim në
vëmendje se Prokuroria e Posaçme, me urdhrin e datës 14.06.2022, ka
urdhëruar ndalimin e publikimit të akteve procedurale për këtë procedim penal
dhe ky akt i është komunikuar shtetasit Elton Qyno.
Me kërkesë të Prokurorisë
së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me vendimin nr.501 datë 13.12.2023 dhe nr.502 datë 13.12.2023
vendosi lejimin e kontrollit personal të shtetasit Elton Qyno, lejimin e
kontrollit të banesës dhe të zyrës së tij, në vendin e punës, Zyrat e TV Ora News.
Në vendimin gjyqësor u lejua edhe sekuestrimi i të dhënave kompjuterike në
sistemin kompjuterik në vendin e punës dhe në banesë të tij.
Në zbatim të
vendimeve të gjykatës, kontrolli personal solli rezultat negativ, telefon
celular nuk iu gjet; nga kontrolli në banesë dhe në ambientet e punës u gjetën
dhe u sekuestruan dokumente dhe sende elektronike tek të cilat dyshohet të ketë
gjurmë të veprës penale që po hetohet. Ndërkaq, para mesnatës, me anë të
pajisjeve speciale gjurmuese operacionale u bë e mundur që në një Bar Kafe me
vendndodhje në distancë të afërt me Godinën e SPAK, të gjenden dy telefona
celularë, që pasi iu vunë në dispozicion, të njihen prej tij si sende të tij.
Dy telefonat
celularë, pajisjet elektronike dhe dokumentacion në letër u sekuestruan në
zbatim të vendimit të gjykatës, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve të urdhëruara nga gjykata dhe të ekzekutuara tashmë,
gazetari Elton Qyno u largua nga ambientet e SPAK për në banesë të tij.
Prokuroria e
Posaçme ka kryer veprimet procedurale në përputhje të plotë me kërkesat e
Kodit të Procedurës Penale, si dhe në zbatim të vendimeve nr.501 datë
13.12.2023 dhe nr.502 datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së
Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Prokuroria e
Posaçme falenderon çdo gazetar për kontributin e mbulimit të lajmeve rreth
nesh, çdo gazetar profesionist që i shërben publikut dhe të vërtetës, duke
raportuar me etikë dhe në respektim të ligjeve në fuqi, duke konsideruar
seriozisht respektimin e sekretit hetimor dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
* Shënim:
Cilido prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim
gjyqësor të formës së prerë.
Kreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreKreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreKreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreKreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreCopyright © SPAK 2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.