
Çfarë duhet që të futesh në BKH?
Duke ju referuar ligjit Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Organizimi i brendshëm i Byrosë Kombëtare të Hetimit rregullohet nga urdhri i përbashkët i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës. Ajo ka gjithashtu në përbërje të saj shërbime të Policisë Gjyqësore, të përbëra nga oficerë të Policisë Gjyqësore, nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilët janë nën drejtimin administrativ të Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe nën varësi procedurale hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Punonjësit e shërbimeve mund të qëndrojnë në mjediset e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ato të Policisë së Shtetit apo ato të institucioneve përkatëse, sipas nevojave të përcaktuara nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Organizimi dhe funksionimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit rregullohet në përputhje me këtë ligj dhe urdhrat e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Kandidatët për punonjës në Byrosë Kombëtare të Hetimit, përfshi drejtorin, zëvendësdrejtorin, hetuesit, punonjësit dhe oficerët e shërbimeve të Policisë Gjyqësore duhet të përmbushin kushtet e sigurisë, të përcaktuara në nenin 6 dhe kreun VIII të këtij ligji. Një kandidat nuk mund të emërohet në Byronë Kombëtare të Hetimit apo në shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë saj, pa përmbushur kriteret dhe pa iu nënshtruar kushteve të sigurisë.
- Kandidatët për drejtor apo hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushin kushtet e pikës 1, të këtij neni, dhe përpara emërimit duhet të kenë përfunduar programin e nevojshëm të trajnimit.
- Kandidatët për oficerë të Policisë Gjyqësore të shërbimeve, të cilët përmbushin kushtet e pikës 1, të këtij neni, brenda 2 muajve nga emërimi, duhet të kenë përfunduar programin e nevojshëm të trajnimit.
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
- Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
- Kandidatët për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të nenit 6 të këtij ligji. Një kandidat nuk mund të caktohet në detyrë si Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit pa përmbushur kushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësive profesionale.
- Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni.
- Drejtori mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short.
- Drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, përzgjedh nga radhët e hetuesve një zëvendësdrejtor. Zëvendësdrejtori vepron në emër të drejtorit në mungesë të tij.
- Drejtori cakton hetues për të drejtuar sektorë brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përputhje me urdhrin e përbashkët të nxjerrë në bazë të nenit 31, pika 2, të këtij ligji.
Kriteret e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë të gjitha kushtet e parashikuara në nenin 6, pika 3, të nenit 37, si dhe pikat 2 dhe 3, të nenit 38, të këtij ligji. Ai duhet të plotësojë me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit për Byronë Kombëtare të Hetimit.
- Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të jetë personi që ka vetëm shtetësi shqiptare, që gëzon cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotëson këto kritere:
a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;
b) ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
c) ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
ç) nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;
d) të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;
dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;
e) ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;
ë) ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;
f) të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
g) në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ishSigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
gj) të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes.
Procedura e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit garanton kandidimin e hapur, konkurrimin e ndershëm midis shumë kandidatëve, vlerësimin objektiv të përmbushjes së kushteve dhe kritereve, transparencën dhe standardet e tjera të procesit të rregullt ligjor. Përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë nen provohet me dokumentacionin shoqërues të kërkesës, të depozituar nga kandidati, si dhe informacioneve zyrtare të marra nga institucione të tjera publike, përfshirë edhe informacionet konfidenciale në lidhje me kandidatët.
Lirimi, shkarkimi ose pezullimi nga detyra i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit lirohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kur: a) i përfundon mandati; b) jep dorëheqjen; c) mbush moshën e pensionit.
- Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit shkarkohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në rekomandimet e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, kur: a) dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale; b) për shkelje të Kushtetutës apo për shkelje të rëndë të ligjit gjatë kryerjes së detyrës; c) për shkelje të rënda dhe shumë të rënda të disiplinës gjatë ushtrimit të funksioneve; ç) kur dalin fakte të reja që janë verifikuar dhe janë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara për emërim.
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në rekomandimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pezullon Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit nëse ai bëhet subjekt i një hetimi penal. Pezullimi vazhdon për aq kohë sa do të ekzistojnë shkaqet e tij.
Zëvendësdrejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Zëvendësdrejtori është përgjegjës për funksionimin e shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Zëvendësdrejtori është përgjegjës për funksionimin e vazhdueshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë çdo mungese të drejtorit.
- Zëvendësdrejtori është hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ka të paktën 3 vjet eksperiencë pune në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda, si dhe duhet të ketë treguar aftësi drejtuese.
- Zëvendësdrejtori emërohet nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas një procesi të hapur dhe transparent të përzgjedhjes, me mandat 4-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
- Zëvendësdrejtori, pas mbarimit të mandatit, gëzon të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm si hetues.
- Zëvendësdrejtori raporton te Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
- Zëvendësdrejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit shkarkohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në rekomandimet e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, kur: a) dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale; b) për shkelje të Kushtetutës apo për shkelje të rëndë të ligjit gjatë kryerjes së detyrës; c) për shkelje të rënda dhe shumë të rënda të disiplinës gjatë ushtrimit të funksioneve; ç) kur dalin fakte të reja që janë verifikuar dhe janë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara për emërimin e tij.
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në rekomandimin e përbashkët të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pezullon Zëvendësdrejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit nëse ai bëhet subjekt i një hetimi penal. Pezullimi vazhdon për aq kohë sa do të ekzistojnë shkaqet e tij.
Hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Hetuesi është punonjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili është përgjegjës për hetimin. Ai gëzon statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore dhe kryen hetime vetëm nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
- Kandidati për hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhet pas një procesi rekrutimi, që mbështetet në praktikat më të mira të rekrutimeve konkurruese, të cilat parashikohen në një rregullore të hartuar dhe miratuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përputhje me nenin 38 të këtij ligji.
- Një kandidat mund të emërohet si hetues vetëm pasi të ketë përfunduar trajnimin përkatës dhe të ketë shfaqur aftësitë, që garantojnë kryerjen e detyrave sipas standardeve të kërkuara profesionale, në përputhje me nenin 38 të këtij ligji.
- Emërimi i hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit bëhet nga drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
- Hetuesi caktohet nga Drejtori i Byronë Kombëtare të Hetimit ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme që të punojë me një prokuror të Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi nuk mund të caktohet në një detyrë tjetër pa pëlqimin e prokurorit të posaçëm apo të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Kriteret për emërimin dhe largimin e hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
- Kandidati për hetues në Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojë këto kritere: a) është shtetas shqiptar; b) ka arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj; c) ka një përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit; ç) të ketë plotësuar me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit për Byronë Kombëtare të Hetimit.
- Të gjithë kandidatët për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të kryejnë me sukses të gjitha fazat e mëposhtme të përzgjedhjes: a) plotësimin e një aplikimi online, përfshirë një curriculum vitae elektronike dhe dokumentet mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin përt’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit; b) një provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik; c) një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit;
ç) një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë; d) një testim të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike; dh) një hetim mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon se personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale; dhe e) të ketë dhënë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit.
- Kandidati i pranuar i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.
- Kursi i trajnimit dhe arsimimit, standardet profesionale dhe sistemet e vlerësimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit miratohen nga drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. 5. Procedurat për shqyrtimin e procedimeve disiplinore dhe llojet e masave disiplinore përcaktohen në këtë ligj, si edhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”.
- Të gjithë hetuesit janë të detyruar të marrin një notë kaluese në secilin prej testeve të përmendura në pikën 2, shkronjat “b” dhe “d”, të këtij neni, si parakusht për t’iu rinovuar emërimi i tyre çdo dy vjet. Të gjithë hetuesit japin pëlqimin për t’iu nënshtruar një testi të poligrafit rreth integritetit çdo dy vjet. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të riemërimit
- Rruga Jordan Misja, Nr 1, Tiranë 1000, Shqipëri
