Kreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read More
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka
regjistruar kryesisht procedimin penal nr.190, të vitit 2023. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal
janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Në analizë të provave të grumbulluara deri
në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se:
1. Personi
nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me
personin nën hetim E. K., i emëruar nga vetë personi nën hetim I. B. në datën
26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në
SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë
kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të
përcaktuara në “Rregullat
e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për
të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i
Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të
detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes
Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave
i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të
Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për
Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.
Të
paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja
e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në
vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të
rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të
realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas,
për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Këto tendera
janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të
cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim I. B. në cilësinë e
Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të
kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të
paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e
komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar
fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të
hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i
kontratës.
Në
lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:
Së pari:
Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja
e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC,
Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar
nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”,
duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k
me Ortak e Administrator personi nën hetim G. H. dhe Drejtor Ekzekutiv personin
nën hetim A. N.
I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij
eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është
organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab”
sh.p.k, njohur si restorant “G…..” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.
Së dyti:
Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të
ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k
me Ortak e Administrator personin nën hetim E. M. dhe personin nën hetim B.
Z. për qëllime të përfitimit material;
Së treti: Shoqëritë
tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të
parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “G…….”, apo të
kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim
përvetësimin fundor nga personat nën hetim I. B. dhe E. K.
Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar
shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me
pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt
shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit
direkt. Ata e kanë faturuar këtë shërbim
tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që
shërbimi është ofruar nga restorant “G…”. Këto veprime janë
kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim I. B. e E. K. me
restorantin “G…..”.
2. Personi nën hetim I.
B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në
vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me
adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se
bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri
deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka
qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe
përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.
Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë
investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve
(aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në
formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj
shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet
personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në
këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar
pranë organeve tatimore.
Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe
pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në
emër të personit nën hetim E. K.
Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore si dhe administrimit të provave
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme
të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e
masave të sigurimit personal në ngarkim të personave ndaj të cilëve zhvillohen
hetime në kuadër të këtij procedimi.
Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024 ka vendosur caktimin e masave të
sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të
Procedurës Penale për tre persona nën hetim; masës së sigurimit “Arrest në
shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për dy persona
nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në
policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, për dy persona të
tjerë nën hetim, të dyshuar për kryerje
të veprave
penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë
shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit
Penal, “Korrupsioni aktiv i
funksionarëve të lartë publikë”, parashikuar
nga neni 245 i Kodit Penal, “Refuzimi për deklarimin,
mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të
personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka
detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi”
kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit
Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së
pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim
parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Nga ana
e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe strukturave të Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani gjashtë masa
sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për
ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim.
Gjatë
hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e
shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma
parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes
për hetimin etj.
Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin
dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si
dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28
dhjetor të vitit 2023.
Sqarim: Çdo
person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim
gjyqësor të formës së prerë.
Kreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreKreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreKreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreKreu Rreth nesh Misioni Veprimtaria Drejtuesi i SPAK Prokurorët Drejtori i BKH Struktura Prokuroria e Posaçme Byroja Kombëtare e Hetimit Legjislacion Kushtetuta Kodet Ligjet për...
Read MoreCopyright © SPAK 2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.