Byroja Kombëtare e Hetimit kërkon të rekrutojë kandidatë të përshtatshëm dhe me integritet për pozicionin oficer i Shërbimeve të Policisë Gjyqësore. Procesi i rekrutimit hapet në zbatim të nenit 7 e nenit 39, pika 3 të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe Ligjit nr.25/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”.
Byroja Kombëtare e Hetimit organizon një proces aplikimi të hapur dhe transparent, në përputhje me nenin 7, të këtij ligji, për pozicione si vijon:
- 20(njëzet) pozicione oficerë të policisë gjyqësore të kualifikuar të Drejtorive të Policisë së Shtetit, përgjegjëse për hetimin e krimit të organizuar, krimit ekonomik, trafikimit të narkotikëve;
- 5 (pesë) pozicione oficerë të policisë gjyqësore të kualifikuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme;
- 4 (katër) pozicione oficerë të policisë gjyqësore të kualifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
- 1(një) pozicion oficer i policisë gjyqësore i kualifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Oficerët për Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Qëllimi i tyre është të rrisin bashkëpunimin dhe komunikimin ndëmjet Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe institucioneve të tjera, si dhe të ndihmojnë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme, që kryhen nga institucione të tjera
Çfarë duhet të dini para se të aplikoni:
Për të aplikuar për pozicionin e oficerit për Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit aplikanti duhet të plotësojë të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 6 dhe nenin 39 të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Procesi i aplikimit:
Në zbatim të nenit 7 dhe nenit 39 të Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, aplikanti duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme dhe të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar:
- Formularin e Aplikimit, që gjendet bashkëlidhur në LINK 1;
- Të ketë të paktën 3 vjet eksperiencë pune.
- Të jenë të pajisur me çertifikatë sigurie.
- Të jenë të kualifikuar për hetimin e krimit të organizuar, krimit ekonomik, trafikimit të narkotikëve, kryerjen e veprimeve operacionale etj., si dhe sektorëve të tjerë përkatës.
- Të njohë në thellësi kërkesat ligjore e procedurale që kanë të bëjnë me identifikimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale.
- Të jenë të kualifikuar për hetimet në fushën e tatimeve e doganave.
- Të japë pëlqimin për vete dhe familjarët e tij për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve, për të cilën plotësojnë dhe nënshkruajnë një deklaratë me shkrim, sipas shtojcave B2 dhe B3 të Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”;
- Të ketë aftësi komunikuese dhe të punës në grup.
- Të njohë parimet e mbikëqyrjes, trajnimit dhe vlerësimit të përformancës.
- Të njohë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
- Të mos ketë masë disiplinore e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit;
- Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale , të mos jetë në hetim penal apo gjykim për një vepër penale.
- Vlerësim pune për aftësitë e tij/saj profesionale, etike dhe integritetin moral;
Komisioni përbëhet nga dy ekspertë/pedagogë të Shkollës së Magjistraturës dhe një Ekspert/Petagog i Akademisë së Sigurisë.
Procesi i verifikimit
Vetëm kandidatët që do të kualifikohen do t’u kërkohet të plotësojnë e dorëzojnë kushtet e sigurisë përpara caktimit në detyrë ose emërimit që janë: kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe të figurës, si më poshtë:
- Kandidatët do të plotësojnë dhe do të dorëzojnë deklaratat për pasurinë dhe konfliktit të interesit në përputhje me ligjin ;
- Kandidatët do të plotësojnë pyetësorin e sigurisë dhe do ta dorëzojnë në përputhje me ligjin.
Formularin e Aplikimit, deklaratat sipas shtojcave B2 dhe B3 dhe dokumentet e sipërcituara të plotësuara nënshkruajini, skanojini dhe dërgojini në adresën e e-mail-it: [email protected].
Byroja Kombëtare e Hetimit zbaton politikën e barazisë në të gjitha praktikat e punësimit. Barazia e mundësive është prioritet i lartë i saj. Byroja Kombëtare e Hetimit nuk diskriminon asnjë aplikant në mënyrë të paligjshme, të padrejtë apo të paarsyeshme në bazë të gjinisë, statusit martesor, orientimit seksual, fesë apo besimit, racës, kombësisë apo origjinës etnike.
Aplikimet duhet të dërgohen me email në adresën [email protected], jo më vonë se të ditën e shtunë, datë 05.08.2021.